Kronikë

Tre vjet burgim dhe 1,300 euro gjobë ndaj një personi për grabitje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me tre vjet burgim si dhe ka gjobitur me 1300 euro të pandehurin B.Q. pasi që me datë 30 nëntor të vitit 2015 rreth orës 23:45, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të luajtshme nga personi tjetër, pas marrëveshjes paraprake me të pandehurin A.Q dhe pas lajmërimit nga ky i fundit se po nisen së bashku me të dëmtuarin B.J për në drejtim të fshatit, i pandehuri B fillimisht në rrugë vendos pengesa me gurë dhe pasi vëren automjetin e të dëmtuarit, shtien me armë në drejtim të tij, me qëllim që ta frikësoj të dëmtuarin dhe nga i njëjti t’i merr të hollat e pazarit në shumë prej mbi 5.000 euro mirëpo, i dëmtuari arrin t’i kaloj pengesat dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.

Të pandehurit B.Q gjykata i shqiptoj dënimin me burg në kohëzgjatje prej tre vjetësh, dënim në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe dënim me gjobë në shumë prej 1.300 euro, të cilin dënim obligohet ta paguaj në afat prej pesëmbëdhjetë ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Nëse dënimin me gjobë nuk e paguan brenda afatit të caktuar, të njëjtit dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim me burg duke ju llogaritur një ditë burgu për çdo 20 euro të gjobës.

Të pandehurit i është konfiskuar arma, karikatori dhe fishekët dhe të njëjtat është urdhëruar që të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të pandehurit B.Q, pas shpalljes së aktgjykimit iu vazhdua masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.