Kronikë

15 vjet burgim burrit që mbyti bashkëshorten në Suharekë

Gjykata Themelore e Prizrenit ka dënuar me 15 vite burgim, Ilir Haxhiajn i cili akuzohej për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, shkaktuar bashkëshortes së tij, Hatije Dina, lëndime nga të cilat ajo kishte vdekur më 15 qershor të 2019.

Më 15 qershor 2019, Haxhijaj kishte hedhur me qëllim nga vetura bashkëshorten duke e sulmuar fizikisht dhe duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit.

Si pasojë e goditjeve, Dina kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Megjithatë, nga Prokuroria Themelore në Prizren, aktakuza ishte ngritur për “lëndim të rëndë trupor”.

KTV-ja kishte siguruar aktakuzën. Aty thuhej se pas mosmarrëveshjeve që kanë pasur me bashkëshorten e tij, tashmë të ndjerë, i akuzuari kishte ndaluar veturën dhe me forcë e kishte nxjerrë jashtë dhe kishte nisur ta sulmonte fizikisht.

Më tutje në aktakuzë shkruante se kur e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës ia kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku si rrjedhojë i shkakton lëndime të rënda dhe trauma të shumëfishuara ne kokë, gjoks, shpinë e duar, nga të cila goditje më vonë vdes në QKUK në Prishtinë më 15 qershor.

Tutje në aktakuzën shpjegohet edhe dëshmia e njërit prej djemve të viktimës, i cili ka thënë se është i bindur se vdekja e nënës kishte ardhur si pasojë e sulmit fizik nga babai, sepse nëna e tij, kishte qenë me vite e keqtrajtuar.