Kronikë

Arrestohen dy gra në Ferizaj për shantazh ndaj një burri

Policia e Kosovës, departamenti i Ferizajt, ka arrestuar dy gra, një 36-vjeçare dhe një 33-vjeçare, me dyshim se kanë shantazhuar një burrë 43-vjeçar.

Dyshohet se dy gratë, S.K. (36-vjeçare) e Sh. K. (33-vjeçare) për disa ditë rresht i kanë bërë shantazh 43-vjeçarit I.V. duke i kërkuar një shumë parash prej 30 mijë euro për ta tërhequr padinë ndaj vëllait të viktimës, i cili për një rast të mëhershëm gjendet në paraburgim.

“Të gjitha veprimet e hetuesve policorë janë bërë në koordinim me Prokurorinë e shtetit dhe të dyshuarat janë arrestuar në flagrancë derisa ishin duke i marrë 30.000 euro nga viktima”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, rajoni Ferizaj. “Me urdhër të Prokurorit të Shtetit në Ferizaj, ndaj të dyshuarës së parë S.K. është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa e dyshuara tjetër SH.K. lirohet në procedurë të rregullt. Rasti pas kompletimit do të procedohet në Prokurori”.