Kronikë

E shfrytëzuan seksualisht të miturën 7 persona, vetëm një i arrestuar

Foto: Koha / ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë, nën dyshimin se prej muajit shkurt të vitit 2020, deri në muajin nëntor, ka keqtrajtuar seksualisht një të mitur.

Si pasojë e këtij keqtrajtimi, e mitura e cila sipas policisë është me probleme mendore, ka mbetur shtatzënë. Në këtë rast janë përfshirë edhe gjashtë persona të tjerë të cilët e kanë keqpërdorur seksualisht, por të cilët, janë liruar me procedura të rregullta.

“Është arrestuar i dyshuari m/k, pasi që i njëjti kishte shfrytëzuar dhe manipuluar viktimën f/k (me aftësi të zvogëluar mendore), duke e trafikuar me persona të ndryshëm, në lokacione të ndryshme. Lidhur me rastin, janë shoqëruar edhe gjashtë të dyshuar meshkuj, pesë m/k dhe një shtetas i R. Shqipërisë, nën dyshimin për shërbime seksuale të viktimës së trafikuar”, thuhet në raportin e policisë.

Në raportin 24 orësh, thuhet se viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor në QPS Ferizaj dhe është vërtetuar se është shtatzënë.

“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa gjashtë të dyshuarit e shoqëruar janë liruar në procedurë të rregullt”, njofton PK-ja.