Kronikë

Keqpërdorimi milionësh me avance në MSH, aktakuzë për dy persona

Descriptive Text

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër dy të zyrtarëve M.S. dhe G.A., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë” dhe “Hyrje në sistemet kompjuterike”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, bëhet fjalë për dëmtim të buxhetit për 1.221.571 euro.

Prokuroria Speciale njoftoi, se i pandehuri M.S. si person zyrtar në Agjencinë Kosovare për Produkte Mjekësore në vazhdimësi, në periudhën kohore 2014 - 2018, ka përvetësuar pasurinë e luajtshme, paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare për zyrtarët e AKPPM-së, të cilat të pandehurit i janë besuar në menaxhim sipas pozitës së tij në kuadër të AKPPM-së.

“Gjatë asaj periudhe në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së, nga llogaria bankare e Ministrisë së Shëndetësisë, nga shuma e përgjithshme prej 1,355,441.14 €, të tërhequra nga zyrtari i MSH-së, F.K., e të cilat i ka pranuar i pandehuri M.S., duke nënshkruar në fletëtërheqje me rastin e pranimit për shumën prej 1,221,501.14 €, nuk ka asnjë dëshmi në AKPPM se janë respektuar procedurat për tërheqje. Me këto veprime i pandehuri M.S. në vazhdimësi ka kryer veprën penale ‘Përvetësimi në detyrë’”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Të pandehurit akuzohen edhe për futje në sistemin kompjuterik përmes fjalëkalimeve të të tjerëve, duke i mbyllur mbyllur avancat. Ata sipas, aktakuzës kishin regjistruar kuponë shpenzimi dhe udhëtime zyrtare në vlera të ndryshme.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, në bashkëkryerje, ne mënyrë te paautorizuar përmes ueb shfletuesit internet explorer kanë hyrë në sistem kompjuterik SIMFK, të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave-Thesarit, ashtu që në kompjuterin e regjistruar në Ministrinë e Shëndetësisë, duke keqpërdorur User-at (fjalëkalimet) e personave të tjerë, zyrtarë të Thesarit, të pandehurit ju kanë qasur sistemit SIMFK, kanë mbyllur avancat duke bërë regjistrimin si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka gjatë vitit 2017, në emër te zyrtarëve të AKPPM-së”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë Speciale.