Kronikë

3 vjet burgim dhe 1 mijë euro gjobë për narkotikë e armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit B. M., duke i shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 3 vjet burgim dhe 1.000 euro gjobë, për armëmbajtje pa leje dhe narkotikë.

Siç njofton kumtesa nga gjykata, i pandehuri B. M. Në muajin shkurt, në shtëpinë e tij në fshatin Pozhoran të Vitisë, pa autorizim ka shitur substancë narkotike të llojit “heroinë” në peshë 2.1 gram në shumë prej 40 euro të pandehurve S. S. dhe N.S.

“Të njëjtën ditë, gjatë kontrollit të zyrtarëve policorë në shtëpinë e tij janë gjetur substancë narkotike të llojit “heroinë” në peshë 31.9 gram, tre paketime me substancë narkotike të llojit “kokainë” me peshë 2 gram dhe dy qese substancë narkotike të llojit “marihuanë” me peshë 1.3 gram. Të pandehurit gjatë bastisjes është gjetur edhe një armë e zjarrit “Bereta” të kalibrit 7.65 mm”, thuhet në kumtesë.

Në njoftim theksohet se kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri, për këto tri vepra penale, të akuzuarin e ka gjykuar me dënim unik prej tre vjet burgim dhe 1.000 euro gjobë.