Kronikë

Policia ndalon 28 persona që s’respektuan masat e qeverisë

Foto: Alban Bujari / KOHA

Në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka ndaluar 28 persona të cilët nuk kanë respektuar masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës dhe autoritetet e shëndetësisë.

Më së shumti ndalime policia ka realizuar në Prizren, në total 17.

Pason Gjilani me 7 persona, për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë.

Në Pejë janë ndaluar 3 persona dhe në Gjakovë 1 person.

Qytetarët kanë të drejtë të dalin tre orë në ditë dhe orari i qarkullimit është i rregulluar në bazë të shifrës së parafundit të numrit personal të letërnjoftimit.

Në fazën e parë, po ashtu është lejuar rihapja e disa bizneseve.

Faza e dytë pritet të nisë nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa e treta më 2 qershor.

Megjithatë, Ministria në detyrë e Shëndetësisë paralajmëroi se mund të ashpërsojë masat e izolimit, nëse rritet numri i të infektuarve me koronavirus.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë janë konfirmuar 927 raste me koronavirus, 671 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur.