Kronikë

​Tetë të arrestuar për dhunë në familje

Foto: Ilustrim

Tetë persona janë arrestuar në 24 orët e fundit në Kosovë për dhunë në familje.

Policia e Kosovës bën të ditur se të dyshuarit janë nga Prishtina, Shtimes, Prizrenit e Gjakovës, transmeton KOHA.

Në Prishtinë dje është arrestuar një burrë me dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

“Viktima është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokuronit është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, thotë PK.

Kurse një tjetër, poashtu në Prishtinë, është arrestuar me dyshimin se ka rrahur dy burra të tjerë, familjarë të tij.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

E në Shtime janë arrestuar tre të dyshuar pasi janë rrahur ndërmjet vete.

“Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet”, thotë PK.

Kurse në Prizren dje rreth orës 13:00 një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një i mitur, dhe i dyshuari gjendet në arrati.

E një burrë tjetër në Prizren dje është arrestuar me dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua dhe një burrë.

“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thotë PK.

Derisa në Gjakovë janë arrestuar dy të dyshuar që janë rrahur ndërmjet vete.

“Njëri nga të dyshuarit ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thotë PK.