Kronikë

Policia në Gjakovë simulon një blerje për të arrestuar një inspektor të ATK-së e një kontabilist

Foto: Enis Imeri / Koha

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në Policinë e Gjakovës, ka bërë arrestimin e dy personave të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

Përmes një komunikate dërguar mediave, PK thotë se pas pranimit të informacioneve nga ankuesi i rastit lidhur me një person të dyshuar i cili i kishte kërkuar ryshfet të njëjtit, përmes një personi të dytë, në këmbim të mosshqiptimit të gjobës apo kontrollimit të biznesit të tij, “Policia e Kosovës ka aplikuar masat e fshehta të hetimit, saktësisht ‘blerje të simuluar’, me ç’rast është arrestuar në flagrancë njëri nga të dyshuarit (kontabilist) i cili nga ankuesi kishte pranuar një shumë parash prej 500 (pesëqind) euro, para të cilat janë pranuar për të dyshuarin tjetër (inspektor i ATK-së)”.

Gjatë zbatimit të kësaj urdhërese, Policia ka arrestuar edhe të dyshuarin tjetër (inspektor i ATK-së).

Policia thotë se personat e dyshuar të arrestuar janë D. F., i lindur me 1977 dhe B. H., i lindur me 1990, që të dy meshkujt, shtetas kosovarë.

Pas intervistimit të të dyshuarve, në konsultim me prokurorin kompetent, me vendim të tij i dyshuari D.F. (inspektor i ATK-së) është ndaluar në mbajtje, ndërsa i dyshuari B.H. është liruar në procedurë të rregullt.