Arbëri

Ministri i Infrastrukturës do ta realizojë përfshirjen e Vitisë në autostradë

Ministria e Infrastrukturës do të ndërtojë lidhjen për Komunën e Vitisë në pikën më të afërt në fshatin Gerlicën në mënyrë që banorët vitias të kenë qasje më të lehtë në autostradën “Arbën Xhaferi’. Kurse fillimi i punimeve në ndërtimin e kësaj lidhjeje do të fillojë në shtator të këtij viti.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në një takim të cilin e ka zhvilluar me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka deklaruar se qytetarëve të Vitisë do t’u mundësohet përfshirja në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ne u zotuam si Ministri e Infrastrukturës, që lidhja e Vitisë në autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë – Hani i Elezit do të ndodhë, vendimi është marrë dhe se ai vendim duhet të implementohet. Koha e zgjatjes së këtij implementimi do të jetë deri nga mesi i shtatorit, kur edhe do të fillojnë punimet për lidhje të Vitisë në autoudhën R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit.

Jemi zotuar që pa stërzgjatje të projektit kjo të ndodhë dhe biseduam edhe me krerët e Komunës, përfaqësuesit politikë të nivelit qendror të kësaj ane, si dhe shoqërinë civile, që ne të implementojmë kërkesën e qytetarëve, e cila do të ketë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik të Vitisë, por edhe në mosshpërnguljen e qytetarëve të këtij qyteti. Unë nuk do të hyjë në detaje të tjera, por kjo lidhje e Vitisë në autoudhë do të ndodhë në mesin e shtatorit të këtij viti”, ka thënë Lekaj.

Kurse Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, është ndarë i kënaqur që kërkesa e qytetarëve ka gjetur mirëkuptim nga ana e Ministrisë. “Jemi falënderues për gatishmërinë e treguar që të trajtohen drejt dhe saktë kërkesat e banorëve dhe që lidhja të bëhet në Gerlicë, e cila do të lidhë këtë pjesë të rajonit dhe jo vetëm Vitinë me Prishtinën dhe Shkupin”, ka thënë ai.

Ndërsa shoqëria civile së bashku me subjektet politike në Komunën e Vitisë kanë anuluar protestën e paralajmëruar për ditën e enjte pasi ata kanë deklaruar se kanë marrë garanci nga Ministria që lidhja të ndërtohet në fshatin Gerlicë.