Arbëri

Podujeva përdor procedura minimale në ndarje tenderësh

Komunarët e Podujevës kanë përdorur procedura minimale në ndarjen e tenderëve gjatë vitit 2017. Në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) thuhet se nga 209 kontrata të nënshkruara përmes procedurave tenderuese, 68 prej tyre (32 për qind) ishin bërë sipas procedurës minimale si edhe 41 (20 për qind) ishin me kuotim çmimesh.

Sipas ZKA-së, kjo përbën një raport relativisht të lartë të përdorimit të këtyre procedurave dhe se paraqet një dukuri jo të favorshme kur kihet parasysh madhësia e kësaj komune si edhe humbje financiare për shkak se në rastet e tilla çmimet e ofertuesve mund të jenë më të larta, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Më tej, sipas LPP-së, Autoriteti nuk do të ndajë kërkesën për prokurim për një sasi të caktuar të produkteve me qëllim të zvogëlimit të vlerës së kontratës për furnizim nën kufirin e caktuar. Gjatë 2017-s, ishin zhvilluar 23 procedura të prokurimit për hartimin e projekteve të ndryshme zbatuese sipas procedurës së vlerës minimale apo kuotim që në total përbëjnë vlerën mbi 106,996 €, kjo në vend se të shkonin me një tender prokurimi-procedura të hapura. Për këtë çështje, ne nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga Komuna (departamenti i prokurimit)”, thuhet në raportin e ZKA-së për Podujevën.

Sipas po atij, përsëritja e blerjeve të njëjta gjatë periudhave të përafërta kohore dhe përdorimi i lartë i procedurave të kufizuara, bën që Komuna t`u shmanget procedurave të hapura, si pasojë shërbimet në këtë mënyrë mund të ofrohen me çmime më të larta, cilësi më të ulët dhe të mos arrihet vlera për paranë e shpenzuar... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)