Arbëri

Familja 8-anëtarëshe në qiell të hapur, në pritje të procedurave komunale

Është mëngjesi i katërt më radhë që familja Berisha tetëanëtarëshe nga fshati Qyshk i Pejës gdhin nën qiellin e hapur, buzë shtëpisë së tyre të djegur të hënën në mëngjes. Deri tash askush nuk i ka dalë në ndihmë kësaj familjeje të komunitetit rom, e as institucionet komunale.

Flaka e shkaktuar nga një lidhje e shkurtër në orëmatësin e rrymës, brenda disa minutave është shpërhapur dhe ka djegur tërë shtëpinë. Kryefamiljari i kësaj familjeje, Eliz Berisha tregon se shtëpia i është djegur të hënën rreth orës nëntë të mëngjesit dhe që nga ajo ditë ka trokitur në shumë dyer në kërkim të ndihmës për strehim, ushqim dhe veshmbathje, por deri tash të gjitha dyert e hapura nuk i kanë sjellë asnjë ndihmë, shkruan sot Koha Ditore.

“Kemi humbur të gjitha nga zjarri. Shtëpinë dhe gjithçka çka kemi pas në të. Asgjë nuk kemi mundur të shpëtojmë, përveç rrobave në trup që i kemi pasë të veshura. Asgjë nuk kemi mund të shpëtojmë se zjarri është shpërhap shpejt dhe për pakë minuta është djegë shtëpia. As zjarrfikësit nuk kanë mundë të bëjnë më shumë, përveçqë kanë shuar zjarrin”, tregon Berisha, në kokën e të cilit shihen gjurmët e zjarrit që ia ka djegur lëkurën në disa vende derisa i ka nxjerrë jashtë anëtarët e tjerë të familjes, të cilët në ato çaste ka qenë ende në gjumë, dhe prej të cilëve fatmirësisht askush nuk ka pësuar lëndime.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)