Arbëri

Dita Botërore e Mjedisit shënohet me aksion pastrimi në Vushtrri

Të gjithë drejtuesit e institucioneve të pushtetit lokal, nxënës dhe qytetarë, sot me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit kanë marrë pjesë në aksionin e pastrimit të mjedisit nga mbeturinat e hedhura vend e pa vend.

Aksionit të nxënësve vushtrrias për pastrimin e hapësirës përreth lumit “Tërrstenka” i janë bashkangjitur edhe vet kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, Arta Haxhaj këshilltare e ministres së mjedisit, nënkryetari i Komunës Besim Muzaqi dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Nasuf Aliu.

Kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, tha se ky aksion ka për qëllim sensibilizimin e përgjithshëm të qytetarëve, por edhe përfshirjen e tyre në iniciativën për ruajtjen e mjedisit dhe hapësirës publike të gjelbër.

“Bashkë me drejtuesit e Komunës, nxënësit qytetarët dhe kompanitë publike të qytetit po marrim pjesë në këtë aksion pastrimi të qytetit të Vushtrrisë. Tashmë qytetarët e Vushtrrisë e dinë se kemi filluar me projektin e mbledhjes së mbeturinave në gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë. Jemi të bindur se kjo do të ndihmojë që ta mbajmë një ambient të pastër, e natyrisht që në gjithë këtë proces na duhet ndihma e qytetarëve për ta mbajtur një ambient të pastër”, ka deklaruar kryetari Tahiri, në aksionin e pastrimit të Vushtrrisë.

Ndërsa Arta Haxhaj, këshilltare e ministres së mjedisit tha se përveç shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, në kuadër të javës së mjedisit janë mbajtur shumë konferenca me ekspertë vendor e ndërkombëtar për problemet e mjedisit dhe rëndësinë e ruajtjes së tij. Shpresojmë që këto aktivitete të vazhdojnë edhe në të ardhmen derisa ta bëjmë më të pastër dhe vendin ku ne jetojmë, vendin tonë.

Sipas Drejtorisë së shërbimeve publike, ky aksion është mbështetur edhe nga Kompania regjionale për menaxhimin e mbeturinave, njësia në Vushtrri, ku janë duke u larguar mbeturina nga pesë deponi ilegale në qytet dhe fshatra.