Arbëri

200 thasë mbeturina largohen nga lumi Erenik

Mbi 100 vullnetarë kanë pastruar sot Lumin Erenik, nga ku janë larguar 200 thasë me mbeturina.

Aksioni i organizuar nga “Let’s Do It Kosova”, që zgjati për disa orë, është zhvilluar tek ura që e lidh lagjen Blloku i Ri me fshatin Moglicë. Aksionit iu bashkuan edhe disa vullnetarë nga “Ta Pastrojmë Shqipërinë”, si dhe përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Për organizimin e aksionit, ndihmë kanë ofruar edhe Komuna e Gjakovës, organizata ‘IFK’, Shoqata e Peshkatarëve dhe organizata të tjera joqeveritare në këtë komunë.

“Let’s Do It Kosova” shpreson se organizimi i këtyre aksioneve do të ndikojë në rritjen e vetëdijesimit tek qytetarët për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, sidomos lumenjve, gjendja e të cilëve po përkeqësohet dita ditës.

“Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe institucioneve që të mos lejojnë degradimin e hapësirave publike në këtë mënyrë dhe të marrin masa konkrete për përmirësimin e gjendjes së tyre”, thuhet në komunikatën e “Let’s Do It Kosova”.

“Një fotografi e lumit Erenik të mbushur me mbeturina ishte publikuar ditë më parë në revistën e njohur botërore ‘National Geographic’. Nuk duhet të lejojmë që pamje si kjo të bëhen lajm ndërkombëtar për Kosovën. Është përgjegjësi e secilit qytetar që të ruaj dhe të mirëmbajë hapësirat që janë pronë e përbashkët e të gjithë neve”, ka theksuar organizata në fjalë.

Aksioni i sotëm për pastrimin e lumit Erenik i ka paraprirë aksionit “Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili organizohet më 5 qershor, në Ditën Botërore të Mjedisit.

Për aksionin e sotëm, kompania turistike “Dita” ka bërë transportin e vullnetarëve, kompania “Meridian” ka ofruar ushqim dhe ujë për vullnetarët, ndërsa thasët për mbeturina janë dhuruar nga kompania “Scampa”.

Thasët e mbushur me mbeturina nga vullnetarët janë larguar nga kompania “Çabrati”, punëtorët e së cilës i janë bashkuar aksionit të vullnetarëve për pastrimin e Erenikut.