Arbëri

Në Gjilan nisin punët për rrjetin e ri të ujësjellësit

Ka filluar në Gjilan implementimi i projektit të rrjetit të ri të ujësjellësit, si bashkëpunim i komunës me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorave” dhe CDI-së, që përfshin një pjesë të madhe të zonës urbane, por edhe të fshatrave të Gjilanit, me kosto prej mbi 500 mijë euro.

Gjatë fillimit të punimeve për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “Porodin”, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ka njoftuar se në projekt përfshihet edhe investimi në krejt pjesën e djathtë të rrugës qarkore, për të vazhduar tek tuneli përgjatë “Rrugës së Prishtinës” në sanimin e rrjetit.

Ndërsa, në fshatra, Haziri tha se është i paraparë ujësjellësi për Verbicë e Kmetocit, Bilinicë dhe Vrapqiq, ku do të përfitojnë mbi 800 konsumatorë ose mbi 4 mijë banorë.

“Kemi filluar me ujësjellësin, do të vazhdohet edhe me projekte të tjera nëpër këto vendbanime sipas prioriteteve dhe nevojave që kanë. Investimi është obligim i yni që të integrojmë çdo familje në jetën e përbashkët me kushte më të mira infrastrukturore. Kërkesë e jona e vazhdueshme është që punët të kryhen me kualitet dhe gjithmonë duke respektuar afatet kohore”, tha Haziri.

Drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka thënë se përcaktimi i Komunës së Gjilanit për të investuar me këtë projekt kapital dhe jetik për këta banorë është në funksion të krijimit të kushteve dhe jetës më të mirë për ta.