Arbëri

Në Komunën e Istogut 49 zyrtarë me kontratë mbi vepër, 28 të jashtëligjshëm

Komuna e Istogut ka angazhuar 49 zyrtarë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, ku janë identifikuar dobësi në 28 raste, periudha e angazhimit të zyrtareve është më i gjatë se sa afati i përcaktuar me rregulla, mbi gjashtë muaj.

Këtë e ka evidentuar si dobësi Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2017 në komunën e Istogut.

“Në tri raste komuna nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të rekrutimit konform kërkesave ligjore, dhe pagesat mujore për këta zyrtarë, në asnjë rast nuk kanë të bashkangjitura dëshmi apo raport për të verifikuar se janë realizuar apo pranuar shërbimet konform kontratës”, thuhet në raport.

Dobësitë e identifikuara rezultojnë me mungesë të mirëfilltë të konkurrencës dhe cilësi të dobët të shërbimeve të ofruara, ndërkohë që në mungesë të kontrolleve komuna rrezikon rritje të pa planifikuar të këtyre shpenzimeve që mund të ndikojnë në mos realizimin e objektivave tjera të përcaktuara, thuhet më tej në raport, përcjell Kosovapress.

ZKA rekomandon kryetarin e komunës së Istogut se duhet të sigurojë se duhet të sigurojnë se janë marrë masa për të ndërprerë praktikën e lidhjes së kontratave pa procedura të rekrutimit dhe kohëzgjatja e këtyre marrëveshjeve të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës.

Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”, të cilat i nënshtrohen Ligjit për detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar po ashtu si mangësi në vendosjen e kritereve tek aktiviteti i prokurimit “Mbikëqyrja e projekteve kapitale”.