Arbëri

Banorët në Milloshevë në hall me nënkalimin që mbushet me ujë e kalimtarët e përdorin si WC

Me rrezik të vazhdueshëm për të dalë në anën tjetër të rrugës, përballen dhjetëra familje të fshatit Milloshevë të Komunës së Obiliqit.

Banorët tregojnë se nënkalimin ekzistues nuk e kanë shfrytëzuar asnjëherë, sepse për shkak të mosfunksionimit të sistemit të kanalizimit, gjatë tërë vitit është i mbushur me ujë, raporton KTV.

Kështu, ata duhet të shfrytëzojnë rrugën e veturave që shpesh e tejkalojnë shpejtësinë.

E, problemin më të madh thonë se e kanë me fëmijët të cilët duhet ta kalojnë rrugën për të shkuar në shkollë.

Ata ankohen se nënkalimi po shfrytëzohet nga qytetarët edhe për nevoja të tjera.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se kanë krijuar një komision dhe brenda këtij viti pritet rregullimi i tyre.

“Të gjithë projektet e nënkalimeve në rrugët që i menaxhon Ministria e Infrastrukturës do të rishikohen dhe do të rregullohen. Por, po ashtu bëjmë thirrje që atje ku mund të shfrytëzohen, le të bëhet, sepse kështu është më i sigurt kalimi nga njëra anë në tjetrën të rrugëve, dhe jeta e qytetarëve është më pak e rrezikuar”, ka thënë Argjend Zejnaj, këshilltar politik në Ministrinë e Infrastrukturës.

Zejnaj ka treguar se në nivel vendi, kanë pranuar një numër të konsiderueshëm ankesash për nënkalime dhe mënyrën se si janë kryer punimet.