Arbëri

Banorët e një kompleksi në Pejë dalin kundër rinovimit të një lokali, thonë se ai u uzurpua

Kompania “Swiss Shala” ka nisur rinovimin e këtij lokali këtu në lagjen “Bill Clinton” në Pejë.

Por, banorët e kompleksit banesor brenda të cilit ndodhet lokali po e akuzojnë këtë kompani për tejkalim të ndërtimit.

Ata thonë se hapësira pranë lokalit, është uzurpim i pronës publike, raporton KTV. Sipas banorëve, punimet këtu janë duke u zhvilluar në dëm të tyre.

Thonë se kompania në fjalë, përveç tjerash, shkatërroi atë pak hapësirë

gjelbëruese që e kishin në shfrytëzim.

Por, pronari Nezaim Shala mohon pretendimet e banorëve.

Përmes telefonit, ai ka thënë se punimet është duke i bërë në mënyrë të rregullt dhe ka leje nga Komuna për të bërë ndërrimin e gypave të vjetër të kanalizimit para dhe përreth lokalit.

Në Komunën e Pejës kanë thënë se kanë pranuar ankesat e banorëve.

Kryeinspektori, Bajram Muslijaj, i ka thënë KTV-së se për rinovim nuk ka nevojë për leje ndërtimi. Aty ku janë ka bërë ndërhyrje në mënyrë jo të rregullt dhe tejkalime e kanë detyruar ta kthejnë në gjendjen e mëparshme.

Muslijaj gjithashtu ka konfirmuar se kompania në fjalë ka marrë pëlqimin për rregullimin e kanalizimit.

Ndërkohë, inspektorët e Komunës ishin në terren edhe të dielën për të monitoruar punimet.