Arbëri

Paralajmërohen ndotësit e ambientit me sanksione

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar publikun se nga fillimi i javës së ardhshme do të aplikohen sanksione në përputhje me ligjin ndaj të gjithë atyre që hedhin mbeturina të amvisërisë dhe inerte në vendet që nuk janë të përcaktuara nga Komuna. Njëherësh kreu i Komunës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i raportojnë rastet e kësaj natyre me qëllim të parandalimit të ndotjes së mjedisit.

“Kryetari i Komunë së Rahovecit, Smajl Latifi, gjatë ditës së enjte ka nënshkruar njoftimin me të cilin njofton të gjithë qytetarët e Komunës së Rahovecit, operatorët ekonomikë dhe ekonomitë familjare se nga 21 maji 2018, do të aplikohen sanksione në kuadër të mandatit ligjor dhe autorizimeve që ka Komuna e Rahovecit në raport me të gjithë ata persona juridikë dhe fizikë, të cilët i hedhin mbeturinat e amvisërisë dhe ato inerte (të ngurta) në ato vende që nuk janë të përcaktuara nga autoritetet e Komunës”, thuhet në njoftimin e Zyrës komunale të informimit.

Aty theksohet se duke pasur parasysh fenomenin e ndotjes së ambientit me hedhjen e mbeturinave në deponi ilegale dhe në mënyrë të pakontrolluar, Komuna e Rahovecit në bashkëpunim edhe me vullnetarët ka nisur pastrimin e deponive pa leje, në mënyrë që të krijohet një ambient i pastër.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)