Arbëri

Fillon ndërtimi i rrugës nacionale M2, Milloshevë - Mitrovicë

Kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës nacionale M2, Milloshevë –Mitrovicë, aksi rrugor Smrekovnicë - Gojbulë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se punimet po nisin në 21-vjetorin e rënies së heronjve, komandantit Zahir Pajaziti me bashkëluftëtarët Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, shkruan sot “Koha Ditore”.

Qeveria e Republikës së Kosovës në respekt të veprës dhe sakrificës së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut e ka emërtuar këtë autorrugë nacionale me emrin e tre heronjve të kombit.

“Ne si Ministri e Infrastrukturës sot po e nisim praktikisht atë nga vendi kur dikur ishin ndërprerë punimet. Kjo rrugë është një nga arteriet kryesore të Republikës së Kosovës dhe është pjesë e drejtimit rrugor 6 në kuadër të rrjetit bazik të transportit të Evropës Juglindore”, ka thënë Lekaj. Sipas tij, investimi që po bëhet këtu përmes fondeve arabe kap vlerën e rreth 12 milionëve, vetëm për ketë pjesë prej rreth 5 kilometrave.