Arbëri

Siguria në komunën e Podujevës, më e qeta në Kosovë

Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotshme ka miratuar Raportin financiar për vitin 2016 dhe disa vendime të tjera.

Në fillim të kësaj mbledhjeje, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, prezantoi një informatë për gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës.

Gjendja e sigurisë në këtë komunë, sipas kapiten Bislimit, e krahasuar me periudhën raportuese të vitit të kaluar, sivjet është më e mirë. Ka rënie të veprimtarive dhe rasteve të raportuara kriminale. Por shtoi se shqetësojnë rastet e aksidenteve me fatalitet. Mirëpo, siç u shpreh ai, Komuna e Podujevës prin në mesin e të gjitha të komunave në Kosovës për gjendjen më të mirë të sigurisë.

Për gjendjen e sigurisë dhe masat që duhet të ndërmerren diskutuan edhe këshilltarët komunalë.

Raportin Financiar të Komunës së Podujevës për vitin 2016, para të pranishmëve e prezantoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i cili tha se buxheti i alokuar për vitin 2016 ka qenë 18,796,763 euro duke përfshirë edhe donacionet.

“Nga shuma totale e buxhetit janë shpenzuar 17, 984, 026 euro, ose 96.% e buxhetit, përfshirë edhe donacionet. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak shpenzimi i buxhetit është përafërsisht i njëjtë me një ngritje të vogël shprehur në përqindje”.

Në vazhdim të raportit janë të paraqitura shpenzimet sipas kategorive ekonomike: për paga dhe mëditje 11,516,460 euro, për mallra dhe shërbime 1, 219, 960 euro, për shërbime komunale 324, 499 euro, për subvencione 427, 702 euro, për investime kapitale 4,495,405 euro. Nga donatorët janë shpenzuar 271,489.00 euro , ose 76% e shumës së lejuar prej 355, 375 euro.

Drejtori Latifi tha se është realizuar një përqindje jo e kënaqshme e të hyrave vetanake prej 87%,

Pas debateve, Kuvendi me shumicë votash miratoi vendimin për miratim paraprak të dhënies në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës, palujtshmërinë dhe objektin hotelier në fshatin Orllan.

Seancën e Kuvendit e udhëhoqi kryesuesi i tij, Mehmet Gashi.