Arbëri

Në Bardh të Malishevës ndalohet puna e një gëlqeroreje

Inspektorët e Komunës së Malishevës sot kanë ndërprerë punën e një furrë për përfitimin e gëlqeres, në Bardh të Malishevës.

Përfitimi i gëlqeres është një prej veprimtarive të zhvilluara të fshatrave përreth Maleve të Berishës, por përveç dëmit të madh në shëndetin e vetë përfituesve dhe banorëve vendës, në masë të madhe e dëmton edhe ambientin, pasi në shumë raste përdoren goma për djegie.

Ne, si komunë, jemi të gatshëm, që të gjithë juve që merreni me këtë zeje t’ju ofrojmë mundësi tjera, përmes subvencioneve në bujqësi, në stalla apo serra, vetëm mos u merrni me këtë punë, që tani është e ndaluar, mbi të gjitha sepse ndot ambientin dhe dëmton shëndetin, iu ka thënë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, punëtorëve të gelqerores.

Djegia e furrave për përfitim të gëlqeres, përcillet me shumë dëme anësore në ambient, si prerja e drurëve dhe dëmtimi i pyjeve, gërmimi për gurë gëlqerorë dhe marrja e tyre në mënyrë ilegale, e deri te djegia e gomave, që është rreptësisht e ndaluar.