Arbëri

Në Ferizaj synohet panair i madh veç me produkte vendore

Kanë filluar përgatitjet për mbajtjen e një panairi të madh në Ferizaj me biznese nga të gjitha trojet shqiptare për promovimin e produkteve shqiptare.

Sylejman Neziri, organizator i këtij panairi, ka thënë për Ksp se kanë filluar përgatitjen për mbajtjen e një panairi me bizneset nga të gjitha trojet shqiptare, më 23 deri 26 korrik.

Ai thotë se ky panair mbahet në verë për shkak edhe të diasporës që janë të pranishëm në këtë kohë në Kosovë.

“Do të mbajmë një panair me produktet ‘blej shqip’, nga të gjitha vendet shqiptare kudo. Ka ardhur koha që t’i promovojmë prodhimet shqiptare. Unë në marketin tim mbaj vetëm prodhime shqiptare. As një produkti nga Serbia nuk i japim hapësirë, e kështu duhet vepruar të gjitha dyqanet e vendit dhe marketet e mëdha në Kosovë e më gjerë”, ka thënë Neziri.

Organizatori pret që ky panair të bëhet tradicional.