Arbëri

Në Prizren, thirrje për t’iu bashkuar aftësimit profesional

Descriptive Text

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica gjatë ditës së sotme kanë vizituar edhe familjet që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale në Prizren, të cilëve iu është kërkuar që të regjistrohen në qendrat për aftësim profesional.

Me këtë rast, Limaj bëri të ditur se të gjithë duhet të mobilizohemi për të ofruar vende pune për të rinjtë që jetojnë me asistencë sociale.

“Së pari jemi, këtu për t'iu thënë se së pari ju që keni halle dhe probleme në familjet e juaja për të përmbyllur muajin me shumë vështirësi ne kemi ardhur këtu që bashkë me ju dhe është një qeveri atje dhe një drejtori këtu që po bënë përpjekje përmes veprimeve dhe masave tona ligjore dhe ekonomike që të krijojnë hapësira, dhe mundësi njerëzve, djemve dhe vajzave sidomos të rinjve të cilët duan të punojnë por nuk kanë pasur rast dhe mundësi të gjejnë një vend pune së bashku të mobilizohemi për t'iu ofruar një mundësi për vend pune”, tha Limaj.

Ai ka ftuar anëtarët e familjeve që kanë fituar nga skema e ndihmës sociale që të vizitojnë qendrat për aftësim profesional, pasi në këtë mënyrë e ndihmojnë veten dhe shtetin.

Sipas tij, duke u punësuar do të rritet mundësia që të rritet edhe shuma e asistencës sociale për familjet në nevojë.

Edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka ftuar qytetarët e Prizrenit që të ndjekin trajnime profesionale në qendrat për aftësim profesional me qëllim që edhe kjo kategori të përgatitet për tregun e punës.

Reçica tutje shtoi se edhe nëse anëtarët e familjeve me asistencë sociale fillojnë trajnimin në këto qendra nuk do t’iu ndërpritet asistenca sociale deri në punësimin e familjarëve. Sipas tij asistenca sociale që ofrohet nga shteti nuk është e mjaftueshme për të zbutur hallet e një familjeje.

Nënkryetari i komunës së Prizrenit, Eshref Memaj tha se qëllimi i takimit të sotëm është fuqizimi i rasteve sociale, pasi vetëm në këtë mënyrë shoqëria mund të ecë përpara.

“Qëllimi kryesor është ne të jemi sa më afër jush në mënyrë që t'iu ndihmojmë në avancimin tuaj dhe të mos krijojmë shtresa të margjinalizuara, por të krijojmë shtresa të fuqizuara. Baza kryesore e mirëqenies sociale është fuqizimi i rasteve sociale. Kur ia arrijmë t’i fuqizojmë rastet sociale, unë them se si institucione ia kemi arritur për të ecur përpara”, tha Memaj.