Arbëri

UN Habitat ndihmon Vushtrrinë në planifikimin hapësinor

Vushtrri, 19 prill - Komuna e Vushtrrisë dhe UN Habitati sot kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, që synon ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e Komunës së Vushtrrisë në lidhje me planifikimin dhe zhvillimin e integruar hapësinor dhe urban.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi, e shprehu mirënjohje për UN Habitatin dhe Agjencinë Suedeze SIDA që po mbështesin dhe financojnë këtë projekt shumë të rëndësishëm për qytetarët dhe komunën e Vushtrrisë.

Pjesë e këtij projekti është edhe fuqizimi i organizatave të shoqërisë civile për të rritur pjesëmarrjen e tyre në procesin e vendimmarrjes si dhe rritja e bashkëpunimit mes komunës dhe institucioneve qendrore. Përmes këtij projekti Komuna e Vushtrrisë do ta hartojë hartën zonale të territorit të saj.

Marrëveshja është nënshkruar mes kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe Gwendoline Mennetrier, përfaqësuese e UN Habitatit.