Arbëri

Klerikët fetarë të Mitrovicës do të organizojnë një marsh të paqes

Descriptive Text

Drejtuesi i ri i Kishës katolike në Mitrovicë, Don Ben Zymi dhe imami i Xhamisë së Madhe në Mitrovicë, Cenë Bala, janë pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari Faruk Mujka.

Drejtuesit e komunës, Bahtiri e Mujka, fillimisht i kanë uruar Don Zymit emërimin në krye të Kishës Katolike të Mitrovicës, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë e tyre për të pas kontakte të shpeshta dhe për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha bashkësitë fetare në Komunën e Mitrovicës, për të mirën e qytetit dhe qytetarëve.

Drejtuesit e Komunës dhe klerikët e qytetit të Mitrovicës janë dakorduar se qytetin ton i duhet paqja si asnjë qyteti tjetër në Kosovë, andaj edhe të gjithë, si institucionet shtetërore, publike e të tjera, ashtu edhe ato fetare, duhet të japin kontributin e tyre për të mirën e qytetit dhe qytetarëve, të të gjitha përkatësive etnike e fetare.

Po ashtu, ata folën edhe për përkushtimin e përbashkët për të forcuar tolerancën ndërfetare dhe ndëretnike në Komunën e Mitrovicës, për të hapur ura të bashkëpunimit e të mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve.

Një ide, për të cilën folën Zymi e Bala e për të cilën thanë se është në fillim, u mirëprit nga krerët e Komunës. Fjala është për organizimin e një marshit të paqes në qytetin e Mitrovicës, pasi që të përfundoj projekti i rivitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër.

“Ideja është me vend dhe e mirëseardhur. Por, për tu realizuar me sukses ajo, duhet një punë e madhe dhe me përkushtim e drejtuesve fetarë dhe atyre komunalë të Mitrovicës. Duhet të vendosen kontakte me përfaqësuesit e të gjitha përkatësive fetar e etnike dhe të shpaloset ideja, në mënyrë që ajo të jetë e pranueshme për të gjithë dhe vetëm pastaj të fillojnë përgatitjet për realizimin me sukses të saj”, tha kryetari Bahtiri.