Arbëri

Spitali i Prizrenit, në mungesë të pajisjeve s’mund të kryejë shërbime diagonstike

Mbulon rreth 22 % të popullsisë Prizrenit, por gjendja në shërbimin e diagnostikës në Spitalin e këtij qyteti është e rëndë.

Ka vite që ky spital po kryen shërbime diagnostike me një aparaturë të stërvjetruar, e cila shpesh del jashtë funksionit, raporton KTV.

Ofrojnë shërbim 24-orësh, por aparatura e CT-së gati 12-vjeçare nuk arrin të mbulojë as gjysmën e pacientëve.

Diagnostika gjithashtu në këtë spital punon pa aparaturën e rezonancës magnetike. Në mungesë të këtij shërbimi pacientët referohen për në QKUK.

Por, Ministria e Shëndetësisë thotë se për këtë vit ka paraparë mijëra euro investime në shërbimet e radiologjisë, ku pjesë e këtyre investimeve pritet të jetë edhe spitali i Prizrenit.

“Sipas buxhetit për vitin 2018, nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore për pajisje mjekësore për shërbimet e radiologjisë të spitaleve të përgjithshme, që janë pjesë e SHSKUK-së, janë paraparë 800,000 euro investime. Gjithashtu, edhe nga buxheti i SHSKUK-së në buxhet janë të ndara 150,000 euro për zgjerimin e hapësirave të shërbimit të radiologjisë me destinim për vendosje të CT Skanerëve të rinj dhe Rezonancës magnetike”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Shëndetësisë

E, me një CT 16 shtresore pritet të pajisjet edhe SHSKUK-ja përmes një granti 1.5 milion euro të Qeverisë së Japonisë.