Arbëri

Vendkalimi hekurudhor te Ferizaj prej një jave pa barriera mbrojtëse

Vendkalimi i hekurudhës në dalje të qytetit të Ferizajt, afër fshatit Varosh, prej më shumë se 5 ditë ka mbetur pa barriera mbrojtëse derisa komuna nuk ka qenë e gatshme financiarisht ta lidhë një marrëveshje me Infrakosin, e cila merret me menaxhimin e tyre.

Qytetarët vazhdimisht po ndihen të rrezikuar nga qarkullimi i trenit dhe askush nuk po interesohej për vendosjen e barrierave, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Prej më shumë se 5 ditësh jemi të rrezikuar si qytetarë, por edhe si vozitës, sepse treni kalon shumë herë gjatë ditës. Deri tashti Komuna dhe Infrakosi nuk janë interesuar për gjetjen e një marrëveshjeje për menaxhimin e barrierave, andaj duhet të intervenohet para se të ndodhë ndonjë aksident me fatalitet”, ka thënë Arben Ademi, qytetar.

Ndërkaq Agron Thaçi, shef në Infrakos, ka thënë se barrierat i kanë larguar derisa Komuna e Ferizajt nuk ka arritur ta nënshkruajë marrëveshjen për menaxhimin e kësaj pike.

“Pavarësisht që i kemi larguar barrierat shkaku i mosnënshkrimit të marrëveshjes, ne kemi vendosur paralajmërimin me shenja që barrierat nuk funksionojnë. Jemi në përgatitje e sipër të marrëveshjes me komunën në mënyrë që punëtorët për mirëmbajtje dhe menaxhim ta kenë një pagë të siguruar. Besoj se deri në fund të javës do të vendosen barrierat dhe gjithçka do të jetë në rregull”, ka thënë Thaçi... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.