Arbëri

Gjilani kërkon nga Qeveria mbështetje në zhvillimin ekonomik

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, ka pritur të hënën zëvendëskryeministrin e Kosovës, Ramiz Kelmendi, me të cilin ka biseduar rreth çështjeve ekonomike e sidomos pakos së re fiskale që po përgatit qeveria e Kosovës dhe më pas, bashkërisht kanë marrë pjesë në një takim me përfaqësuesit e bizneseve nga kjo komunë e Anamoravës, që dikur ka qenë një qendër e njohur agro-industriale, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

“Unë sot i paraqita para zëvendëskryeministrit disa çështje të hapura që ne kemi me qeverinë, në mënyrë që përmes ndryshimeve fiskale, të mbështet puna jonë që ka të bëjë kryesisht me zhvillimin ekonomik, sidomos në prodhimin e bimës së duhanit, bimës së lulediellit dhe disa iniciativa të tjera, të cilat ndihmojnë shumë jo vetëm Gjilanin, por edhe Anamoravën dhe komunat e Luginës së Preshevës, në përgjithësi”, ka thënë Haziri.

Kelmendi ka thënë se të arriturat në komunën e Gjilanit janë në nivelin e duhur, është zotuar se do të punojë në qeveri që këto zhvillime në ekonomi dhe bujqësi të avancohen më tutje.

“Ne kemi miratuar vendimin për regjistrimin e pronave dhe me këtë janë krijuar kushte që tani shteti, me një vendim qeveritar, t`i destinojë këto prona për nevojat e Komunave dhe të institucioneve tjera përkatëse”, ka thënë ai.