Pesë muaj më parë Qeveria ndau me urgjencë 317 mijë euro për digën e Përlepnicës, punimet kurrkah

16 mars 2018 19:57

Qeveria e Kosovës në tetorin e vitit të kaluar, me urgjencë kishte ndarë 317 mijë euro për rregullimin e kapërderdhëses së Liqenit Përlepnica të Gjilanit.

Atëkohë, u tha se për shkak të rrezikut të madh që u kanosej banorëve të dy fshatrave që ndodhën krejt afër këtij liqeni, Përlepnicës e Dobërqanit, duhej të intervenohej menjëherë, raporton KTV.

Kjo, për faktin se diga nëpër të cilën kalon uji në momentin e rrjedhjes së sasisë tejet të madhe të ujit, ka kohë që është shkatërruar krejtësisht.

Mirëpo, pavarësisht rrezikut, në këtë vend edhe pas pesë muajsh, nuk është investuar asnjë cent e as rregulluar diçka.

Banorët ankohen, duke thënë se për shkak të derdhjes së ujit jashtë shtratit që mund të shkaktojë shembje të dheut, shumë herë janë ndier të rrezikuar.

Se diga është shkatërruar, e thonë edhe vetë zyrtarë të “Hidromoravës”.

Sipas tyre, ky rrezik ekziston që nga paslufta. Derisa, në rast të rrjedhjes më të madhe të ujit, duhet vetëm një minutë për t’i përmbytur këto dy fshatra.

Muhamet Suliqi – Kryeshef ekzekutiv i KUR “Hidromorava” bën të ditur se javën e kaluar kanë nënshkruar kontratën me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, derisa thotë se janë në fazën përfundimtare të hartimit të projektit.

Ndërkaq në Ministrinë e Mjedisit, e cila ka në menaxhim ujërat dhe liqenet, thonë se prioritet i tyre dhe i Qeverisë është rregullimi i digave nëpër liqene të ndryshme, përmes të cilëve furnizohen me ujë të pijshëm qytetarët.

Ndërsa fajin për këtë, e hedh të Ministria e Zhvillimit Ekonomik, duke thënë se kjo është kompetencë e tyre.

Zyrtarë të Zhvillimit Ekonomik nuk i janë përgjigjur pyetjes së KTV-së për këtë çështje.

Gjendja e digave nuk është hiç më e mirë as në liqenet e tjera artificiale në tërë vendin, për shkak të vjetërsisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme