Shkolla e Kishnicës rrezikon të shembet

Shkolla e Kishnicës rrezikon të shembet

06 mars 2018 08:43

Nga tingujt e muzikës në një nga klasat mësimore, kumbon zëri i nxënësve të Shkollës “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, mirëpo, tash e sa vite nuk po dëgjohet fare zëri i drejtorit dhe stafit të kësaj shkolle teksa ftojnë institucionet të ndërmarrin masa për të përmirësuar kushtet në këtë objekt, i cili është ndërtuar në fillim vitet e ‘60 si ndërtesë kolektive.

Duke qenë se asokohe në Kishnicë ishin vendosur minatorë nga e gjithë Kosova, si rrjedhojë, është shfaqur nevoja për një shkollë shqipe, me ç’rast në vitin shkollor 1966/67, kjo ndërtesë është shndërruar në shkollë dhe që nga atëherë, vazhdon të kryejë të njëjtin funksion, mirëpo me kushte të rënduara çdo vit e më shumë.

Krahas rrezikshmërisë së lartë që ka ndërtesa, aty nuk ka hapësira të mjaftueshme për të zhvilluar gjithë procesin mësimor konform kurrikulës, si rrjedhojë, nxënësit shfrytëzojnë edhe zyrën e drejtorit për aktivitete të ndryshme.

Mirëpo, edhe orët e zakonshme mësimore nuk kalojnë më lehtë, ngaqë thuajse të gjitha klasat kanë kushte të vështira dhe nuk janë të izoluara mirë, për çka u vështirësohet edhe mësimnxënia, veçanërisht në sezonin dimëror.

Në vitin 2014, stafi dhe nxënësit, të mbështetur edhe nga prindërit, bojkotuan mësimin me qëllim të ngritjes së zërit për kushtet e vështira në të cilat mbajnë procesin mësimor dhe si rrjedhojë e saj, u intensifikua bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit, e cila më pas kompetencat për ndërtim të shkollave ia ka kaluar Ministrisë së Administratës Publike.

Ndonëse në kushte tejet të vështira, kjo e fundit ka filluar zbatimin e projektit për ndërtim të shkollës së re vetëm në vitin 2016, ndërkohë që kjo Ministri i ka dhënë afat dy vjet kompanisë fituese që ta përfundojë objektin, mirëpo i njëjti vazhdon të ketë vetëm themelet e ngritura, ndonëse tashmë kanë kaluar dy vjet nga fillimi i projektit.

Premtimet e dhëna nga institucionet që nga viti 2014, vazhdojnë të përsëriten se ndërtimi i shkollës së re do të përfundojë, megjithatë, edhe përkundër afrimit të afatit të paraparë për përfundim të ndërtimit, situata mbetet e njëjtë.

Praktika e mospërfundimit të punëve sipas afateve të paraqitura në tenderë publikë, është e vazhdueshme, për më keq, në të shumtën e rasteve edhe pa u ndëshkuar, prandaj edhe punët neglizhohen apo edhe mbesin të papërfunduara si në rastin e Shkollës “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, ndërsa fëmijët dhe arsimtarët vazhdojnë të rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme