Arbëri

Rritja e nivelit të lumenjve rrezikon banorët përreth

Të reshurat e fundit dhe rritja e përnjëhershme e temperaturave kanë rritur dukshëm sasinë e ujit në Liqenin e Batllavës.

Madje uji ka dalë edhe jashtë digës mbrojtëse të liqenit, duke rritur sasinë në lumenj, raporton KTV.

Lumi Llap ka dalë nga shtrati në disa pjesë të fshatit Barilevë, duke përfshirë toka bujqësore, shtëpi e biznese.

Disa punëtorë tregojnë se u është dashur të angazhohen me orë të tëra për të shmangur rreziqe më të mëdha.

Në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal të Prishtinës thotë se problem nuk ka pasur vetëm në zonat e menaxhuara nga ta. Edhe liqenet tjera janë stërmbushur për shkaqe të ndryshimeve klimatike.

Banorët e fshatrave të prekura nga uji thonë se Komuna e Prishtinës është dashur ta rregullonte shtratin e lumit.

Mirëpo, nga zyra e Shërbimeve Publike në Prishtinë, Habib Qorri thotë se problemi qëndron edhe te pakujdesia e qytetarëve.

Megjithatë, thotë se në të ardhmen do të planifikojnë një projekt për rregullimin e shtratit të lumit, por për të cilin do të kërkojnë edhe përkrahjen financiare të Ministrisë së Ambientit.

Pos lumit Llap, nga shtrati kishte dalë edhe lumi Sitnica, burimi i të cilit nuk vjen nga liqenet.

Ky lum ka përfshirë disa toka në Komunën e Fushë Kosovës.