Arbëri

MAPL do që Dragashi të rishikojë zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete, Aga e quan vendim racist

Nacionaliteti i nënkryetarit të Komunës së Dragashit është bërë problem për këtë institucion.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendim që Komuna e Dragashit ta rishqyrtojë vendimin për zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete, Sherif Aga.

Pasi, sipas legjislacionit në fuqi, ky post duhet t’i takojë komunitetit që ka përqindje më të lartë, që në këtë rast është komuniteti goran, që ka 24 përqind të popullsisë.

Vetë Aga nuk tregon se a i përket nacionalitetit goran apo boshnjak por deklaron se vendimi i ministrisë është racist.

Ministria duhet të vërtetojë vendimin e Komunës, meqë bëhet fjalë për mua si nënkryetar i komunitetit pakicë. Unë jam pjesëtar i komunitetit pakicë, pasi Komuna e Dragashit është multietnike dhe ka disa pakica kombëtare. Ministria ka të drejtë të marrë mendim. Ne si administratë lokale e kemi për detyrë të përgjigjemi. Edhe unë jam sikur paraardhësit e mi. Kurse këto zhvillime politike që po ndodhin janë diçka tjetër”, ka thënë Aga.

Por në komunë thonë që zgjedhja e nënkryetarit është bërë në përputhje me ligjet në fuqi dhe është votuar në kuvendin komunal.

Në përgjigjen e Ministrisë thuhet se Komuna e Dragashit ka afat edhe dy javë që ta rishqyrtojë këtë vendim.