Arbëri

Të kalueshme rrugët në Malishevë

Përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës, të gjitha rrugët në komunën e Malishevës, janë të kalueshme, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Këtu përfshihen edhe rrugët në fshatrat e thella malore, si Berisha, Fshati i Ri, Llapçeva, Seniku, Lladrovci e Guncati. Pastrimin e borës nga këto fshatra e ka inspektuar edhe nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është ndarë i kënaqur me mirëmbajtjen e rrugëve.

“Berisha, gjatë vizitës në këto fshatra të thella malore, është takuar edhe me banorët të cilët, gjithashtu janë shprehur të kënaqur me mirëmbajtjen e rrugëve gjatë këtij dimri, përkatësisht kur ka pasur reshje të borës”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Berisha, ka thënë se, “është ndarë i kënaqur me mirëmbajtjen e rrugëve, sidomos gjatë ditës së sotme, ku përveç reshjeve të borës, edhe temperaturat kanë qenë të ulëta, por rrugët në vazhdimësi, nga kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve, janë pastruar dhe kanë qenë të kalueshme”.