Arbëri

Kastrati prezanton ‘Ekipin e Ndryshimit’ në Kamenicë, gjashtë drejtori udhëhiqen nga gratë

Kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati nga Lëvizja Vetëvendosje, ka publikuar listën e përfunduar të drejtorëve komunalë.

Kujtojmë se Kastrati gjatë fushatës zgjedhore para se të merrte mandatin e kryetarit, kishte premtuar se së paku 50% të drejtorive në Kamenicë, do të udhëhiqen nga gratë.

Kastrati përmes facebookut ka treguar se cilët janë udhëheqësit e rinj, ku nga 11 drejtori, 6 prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Kryetari i Kamenicës, gjithashtu ka thënë se këta burra dhe gra që do të ulen në këto karrige kanë para vetes përgjegjësi të madhe për t’u ofruar qytetarëve.

Postimi i plotë i Kastratit:

Gjatë fushatës zgjedhore u zotuam që qeverisja e re do të jetë një kthesë pozitive në zhvillimin e Komunës. Pas marrjes së mandatit, jemi angazhuar në vazhdimësi që ta realizojmë këtë synim. Duke qenë se pozita e Drejtorit të Komunës bartë me vete përgjegjësi të rëndësishme për realizimin e misionit tonë, ne e morëm me seriozitet të lartë përzgjedhjen e emrave. Burrat dhe gratë që do të ulen në këtë karrige kanë para vetes përgjegjësi të madhe për t’u ofruar qytetarëve shërbimet më të mira dhe për t’u përgjigjur kërkesave dhe nevojave të tuaja.

Këta janë shërbyesit tuaj të cilët duhet t’i mbani në përgjegjësi dhe prej të cilëve do të kërkoni llogari, njësoj sic do të bëj edhe unë. Vendimi për të emëruar Drejtorët vjen pas një procesi, gjatë së cilit jemi munduar maksimalisht të mbajmë standardin e lartë të përzgjedhjes së profesionistëve me integritet dhe vullnet për ndryshim. Jemi konsultuar me grupe të ndryshme për t’u siguruar që po e bëjmë përzgjedhjen e duhur.

Ju uroj bashkëpunim të frytshëm dhe përvojë të suksesshme me të zgjedhurit!