Arbëri

Gjakova shënon 10 vjetorin e Pavarësisë, zbulohet murali në Pallatin e Kulturës

Me rastin e shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Komuna e Gjakovës gjatë ditës së sotme ka realizuar një sërë aktivitetesh, në të cilat ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës Ardian Gjini.

Fillimisht dita ka nisur me homazhe dhe vendosje të kurorave me lule para varrezave të dëshmorëve dhe varrezave të martirëve në Meje dhe në Çabrat, si dhe para memorialit “Shokët e Lirisë” në qendër të qytetit.

Dita ka vazhduar me zbulimin e muralit në ambientet e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, dedikuar Teatrit “Hadi Shehu”, institucion që sivjet mbush 40 vjet nga themelimi i tij si teatër profesional.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari Gjini, i cili ka thënë se teatri “Hadi Shehu” është institucion me të cilin mburren Gjakova, prandaj edhe ka shprehur kënaqësinë e tij që ky mural në nderim të teatrit po inaugurohet pikërisht në një ditë të shënuar siç është 17 Shkurti.

Ceremonia qendrore për shënimin e kësaj dite është mbajtur në orët e pasdites, me ç’rast Kuvendi Komunal ka organizuar një seancë solemne, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës ka qenë adresimi para të pranishmëve i kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini.

Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, Gjini ka rikujtuar sakrificën dhe kontributin që populli ynë e ka dhënë ndër vite me të vetmin qëllim, lirinë dhe pavarësinë e vendit. E duke u nisur nga kjo, ai ka shtuar dita e Pavarësisë ashtu sikurse edhe dita e çlirimit janë dy data që duhet ta gëzojnë secilin prej nesh.

Duke garantuar për angazhimin e tij personal, të administratës komunale dhe të Kuvendit komunal, për realizimin e shumë projekteve në Gjakovë, kryetari Gjini ka thënë se megjithatë ky angazhim do të jetë i pamjaftueshëm nëse të gjithë qytetarët bëhet bashkë dhe bashkërisht angazhohen e punojnë për të mirën e komunës së Gjakovës.

Aktivitetet e ditës së sotme do të përmbyllen me ndezjen e qirinjve në nderim të personave të zhdukur të komunës së Gjakovës si dhe më vonë edhe me koncertin e madh festiv, në të cilin do të përformojnë artistët më të mirë të komunës së Gjakovës.