Arbëri

Lufta kundër ndotjes nga Ferronikeli bashkon pozitën, opozitën e qytetarët në Drenas

Ferronikeli po vazhdon t’i shqetësojë banorët e Drenasit.

Kohë pas kohe, banorët thonë se ndotja e ajrit ka filluar të bëhet e padurueshme bashkë me zhurmën e madhe që po bën ky gjigant metalurgjik.

Smajl Hasi thotë se me gjithë ankesat e shumta të bëra, nuk u doli askush në ndihmë.

Pas ankesave të bëra, Komuna e Drenasit ka monitoruar situatën dhe nga fotografitë e bëra, zyrtarët komunalë thonë se Ferronikeli ka shkaktuar ndotje.

Edhe opozita përmend një varg problemesh që po i shkakton kjo fabrikë, përderisa i akuzon institucionet qendrore për mosangazhim serioz në kontrollin e nivelit të ndotjes.

Mirëpo, këto konstatime i ka kundërshtuar Ferronikeli.

Zyrtarë të saj kanë mohuar t’i kenë tejkaluar normat e ndotjes që, sipas tyre, janë brenda limiteve të parapara me ligj dhe me lejen mjedisore të integruar.

Gjatë kohës sa ekipi i KTV-së ka lëvizur rreth fabrikës, niveli i ndotjes ka qenë jashtë limiteve, por më i vogël.

Por, e njëjta gjë nuk ndodhi pak minuta më vonë, kur tymtari i Ferronikelit nisi ta lëshojë këtë lloj tymi.