Arbëri

Haskuka: Qeverisja e kaluar s`më informoi rreth pezullimit të PZHK-së

Descriptive Text

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se zyrtarët e lartë të Qeverisë së kaluar lokale nuk e kanë informuar Ekzekutivin e ri lidhur me një vendim të gjyqësorit për pezullimin e planeve urbanistike dhe Planit Zhvillimor Komunal si pasojë e një padie të bërë nga Hekurudhat e Kosovës. Ai ka vlerësuar se informimi i duhur lidhur me këtë problem ekzistues ka qenë një obligim zyrtar i anëtarëve të Qeverisë së kaluar, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Në padinë e bërë nga Hekurudhat e Kosovës është një vendim i gjykatës, të cilin ne nuk e kemi ditur para dy jave, që ka qenë se pezullohen të gjitha planet urbanistike dhe PZHK-ja. Në momentin që pezullohet PZHK-ja Komuna nuk mund të japë asnjë leje, faktikisht. Kjo nuk është dorëzuar në mënyrë të duhur dhe nuk na është treguar se është një problem i tillë në drejtorinë e Urbanizmit”, ka thënë Haskuka, gjatë një fjalimi të mbajtur para anëtarëve të KK-së së Prizrenit.

Mirëpo lidhur me këtë çështje ish-drejtori i Urbanizmit në Qeverinë e kaluar të Prizrenit, Visar Islamaj, ka bërë të ditur se vendimet e përmendura nga Haskuka janë në arkivin e drejtorisë. Sipas tij, kjo qasje tregon nivelin e ulët të vendimmarrjes në Qeverinë Haskuka.

“Mua po më vjen keq nga kjo që po dëgjoj nga Mytaher Haskuka. Kjo tregon nivelin e ulët të vendimmarrjes në këtë qeverisje. Lëngimet tregojnë dhimbjet që i ke në trup e jo që i kanë të tjerët. Unë detyrën ia kam dorëzuar z. Fatmir Memajt, duke e njoftuar me projektet, përparësitë dhe vështirësitë e kësaj drejtorie. Këto vendime janë në arkivin e drejtorisë dhe unë ato s’i kam marrë me vete. Zoti Haskuka duhet te lirohet nga tymi dhe dozat e zyrave të partisë, aty është për të marrë vendime dhe jo për të lënguar”, ka deklaruar Islamaj... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)