Arbëri

Flet drejtori i Prokurimit në Gjilan, që po akuzohet se zhduku dosje të tenderëve

Descriptive Text

Në Drejtorinë e Prokurimit Publik, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan, janë asgjësuar dosjet e tenderit të kompanisë “Higjiena”.

Gjithë kjo erdhi pasi drejtori i Drejtorisë së Prokurimit, Salih Kqiku në 2014-ën duke i tejkaluar kompetencat e tij kishte vendosur OJQ-në “Psikoterapeutet në Veprim” në zyrën e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, të cilat dokumente nuk janë gjetur gjatë hetimeve të zyrtarëve të policisë, kështu thuhet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Gjilanit, të cilën aktakuzë e ka siguruar Ndërtimi.info

Si për rastësi në të njëjtën OJQ, Kqiku kishte punësuar vajzën dhe mbesën e tij.

“Gjatë vitit 2014-ën Gjilan, i pandehuri në cilësi të personit zyrtar, drejtor i Drejtorisë së Prokurimit, K. e Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tija, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, duke punësuar dy familjarë të vet. Në atë mënyrë që ka vendosur një OJQ “ Psikoterapeute në Veprim”, në zyrën e Arkivit të Drejtorisë së Prokurimit, e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan, në të cilën zyrë kanë qenë të vendosur dosje të tenderëve, e ndër të tjera edhe dosja e tenderit me dy raportet e vlerësimit të aseteve fikse dhe detyrimeve qarkulluese të KRM “Higjiena” në Gjilan, e të cilat zyrtarët policor nuk kanë mundur t’i gjejnë. E ku rezultojnë të asgjësuara, e ku në të njëjtën OJQ, i pandehuri ka punësuar vajzën Antigona Kqiku dhe mbesën Naime Bunjaku”, thuhet në aktakuzë, raporton Ndërtimi.info.

Por, për të gjitha këto Kqiku nuk po ndihet fajtor, edhe pse kjo aktakuzë ende nuk ka shkuar në dorën të tij.

Ndër tjera ai tha se nuk ishte në krye të detyrës gjatë kohës kur kjo hapësirë ishte dhënë në shfrytëzim.

“Unë në pyetje por aktakuzë nuk kam fare. Nuk jam fajtor dhe nuk ndihem fajtor për atë çështje. Ka pas 10 ditë që kam ardh në departamentin e Prokurimit. Arkiva është e Inkubatorit Biznesi që është kompetencë e drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik. Gjegjësisht ka qenë një menaxher që ka nënshkruar kontratë me një OJQ edhe ia ka lëshuar për shfrytëzim të asaj hapësire. Menaxheri i Inkubatorit Biznesi, Milot Shkodra ia ka lëshu në shfrytëzim një OJQ-së me qera, lokali ka qenë Arkiva e Prokurimit. Do me thënë me 04.09. 2014”, tha ai.

Për habi, personi që kishte detyrën e drejtorit të Prokurimit në Komunën e Gjilanit nuk e kishte ditur që në ato zyre ekziston një arkivë.

“Unë me 19.08,2014 ka pas vetëm 10 ditë kur kam ardh në departamentin e Prokurimit ku iu është lëshuar ajo kontratë në shfrytëzim. Unë as nuk e kam ditë që ka atje arkivë. Unë e kam arkivën këtu në prokurim që ruhen dokumentet për tre vitet. Ajo është arkivë e vjetër që nuk e kam ditë”, tha ai.

E sipas një procesverbali citohet të ishte raportuar që në zyrat e arikivit ku po ushtronte aktivitetin OJQ-ja, dosjet e tenderit ishin vënë troç në një qoshe. Në procesverbal kishte deklaruar se nuk mbanë përgjegjësi për dokumentet atje.

Derisa Kqiku tha se pasi kishin arritur aty e kishin parë OJQ-në. Në procesverbal thuhet se nuk kishin mundur ta hapin derën, pasi që ishin ndërruar bravat e dyerve.

“Me datën 24.10.2014, kemi shkuar me kërku disa dokumente ku kemi shkuar aty i kemi gjet një OJQ, ky zyrtari juridik e ka pas çelësin, e po i them mos ke gabu se kjo nuk qenka. Edhe kur kemi shku aty e kemi gjet një OJQ, ku e kemi edhe në procesverbal që e kena gjet OJQ-në, kemi edhe fotografi që unë nuk mbajë përgjegjësi për këto dokumente pasi është OJQ-ja aty. OJQ-ja ka qenë PEA, drejtoresha Sevdije Musliu”, tha ai.

“Në prezencë të tyre kam tentuar me hap zyrën por dera nuk u hap, ia kishin ndërruar bravën. Në arkivin e zyrës së prokurimit ishte vendosur një organizatë e OJQ-së. I gjithë dokumentacioni tenderik ishte mbledhur në një qoshe dhe ishte bërë troç. Unë personalisht jam befasuar dhe nuk e kam ditur se në zyrën e arkivës së prokurimit ku janë të vendosura lëndët që nga viti 2003 është vendosur një organizatë e OJQ-së. Dokumentacioni aq shumë ishte përzier çka unë personalisht nuk mbaj përgjegjësi”, citohet deklarata në procesverbal.

Kurse, kontrata për lëshim në shfrytëzim ishte lëshuar pas ardhjes së tij në krye të kësaj drejtorie, dokumentet e siguruar nuk rezultojnë të tilla.

Derisa Kqiku thotë se kontrata për lëshim ishte lëshuar pas ardhjes së tij në krye të kësaj drejtorie, dokumentet e siguruar nuk rezultojnë të tilla.

Sipas kontratës për qiradhënie thuhet se nënshkrimi i kontratës është bërë me 04.09.2014, që i bie se është bërë pas ardhjes së Kqikut në detyrë. Ky i fundit u emërua drejtor i Prokurimit në 19.08.2014.

Në po të njëjtin dokument thuhet se OJQ-ja do ta shfrytëzojë brenda një viti këtë objekt, por që këtu siç duket ia kanë huqur me datat. Pasi që datat e dhëna aty janë po të njëjta me fillimin dhe mbarimin e kontratës.

“Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 1 vit dhe fillon më datën 04/09/2014 dhe përfundon me datën 04/09/2014”, kështu shkruhet në kontratën për dhënie të qirasë.

Megjithatë, Kqiku po e bënë përgjegjës Milot Shkodrën pasi ky ka qenë menaxher dhe që ka nënshkruar kontratë me një OJQ.

Por, Shkodra nuk ka pranuar të ketë një përgjegjësi të tillë. Ai në deklaratën e tij dhënë në Prokurori me 04.12 2017 ka deklaruar se zyra e arkivit të Drejtorisë së Prokurimit e cila gjendet tek Qendra e Inkubatorit të Biznesit në Gjilan ka qenë nën menaxhimin e Drejtorisë së Prokurimit dhe se çelësat e kësaj zyre i kanë pasur zyrtarët e asaj drejtorie.

Ndërsa, Sevdije Musliu që kishte qenë drejtoreshë e organizatës “Psikoterapeute në veprim” kishte deklaruar se ai ishte munduar t’i bënte zgjidhje meqë me të punonte vajza e dajës së Salih Kqiku.

“Pas kërkesës për një zyre në Komunë e njëjta është aprovuar dhe se ka filluar të punoj. Dy javë kam qëndruar në një zyrë ku isha përkohësisht, e më pas kam kaluar në një zyrë tjetër dhe me deklaratën e dhënë me datën 13.12.2017, e njëjta pohon ndër tjera bile më së shumi është angazhuar që ta bënte zgjidhje sepse me mua që nga fillimi ka punuar vajza e dajës së Salih Kqikut”, thuhet në aktakuzë.

Në bazë të këtyre deklaratave, prokurorit i shtetit Isuf Sadiku ka kërkuar që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave i pandehuri Salih Kqiku të shpallet fajtor dhe të ndëshkohet me dënim meritor sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lënda ende nuk i është dërguar të pandehurit Kqiku, kjo pasi që sipas Zëdhënësit të Prokurorisë së Gjilanit, Sabit Shkodra, lënda ende nuk është ndarë tek ndonjë gjyqtar.

“Lënda është pranuar në Gjykatën Themelore në Gjilan me datë 29.01.2018,meqenëse lëndët në gjykatën tonë ndahen me short, lënda ende nuk është ndarë tek ndonjë gjyqtar. Në momentin që ndahet lënda tek gjyqtari i caktuar, i dërgohet edhe të pandehurit aktakuza”, ka thënë Shkodra për Ndërtimi.info nëpërmjet postës elektroteknike.

Për të njëjtën çështje Ndërtimi.info ditë më parë ka kontaktuar edhe të parin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i cili ka deklaruar se zhdukja e dosjes së këtij tenderi nuk mund të ketë ndodhur. Madje ai theksoi që prej kur komuna është nën administrim të tij, asnjëherë nuk ka pasur zhdukje të dokumentacioneve.

Lidhur me këtë Haziri po pret deri sa të marr një njoftim zyrtar nga prokuroria për ngritje të aktakuzës ndaj drejtorit të komunës të cilën ai drejton.

{gallery}