Arbëri

Mitrovica prezanton Pilot-projektin “Krijimi i SHP‐ve të ndërtesave të banimit në bashkëpronësi”

Në ambientet e sallës së Kuvendit Komunal të Komunës së Mitrovicës sot është mbajtur takim i përbashkët me pronarët e banesave kolektive me ç’rast u prezantua pilot-projekti “Krijimi i Shoqatave të Pronarëve (SHP‐ve) të ndërtesave të banimit në bashkëpronësi”.

Ky pilot-projekt është i financuar nga Banka Botërore përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ndërsa Komuna e Mitrovicës është përzgjedhur si përfituese në mesin e tri komunave në nivel vendi.

Në këtë takim, krahas prezencës së përfaqësuesve nga kompania implementuese “Energy Environmental Consulting Grup”, të cilët e prezantuan pilot-projektin, të pranishëm ishin edhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë Egzon Jashari, zyrtarë nga Drejtoria për Planifikim dhe Urbanizëm dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të cilët u informuan me rëndësinë e implementimit dhe procedurat e aplikimit.

Përfaqësuesi i kompanisë implementuese, Besim Islami, para të pranishmëve prezantoi rolin e kompanisë në zbatimin e këtij projekti, si dhe mënyrën e aplikimit dhe kushtet e përzgjedhjes së ndërtesave përfituese.

“Ju si banorë jeni faktorë kyç në përmirësimin e gjendjes ekzistuese të shtëpisë suaj, ju duhet të aplikoni dhe të kontribuoni që të jeni pjesë e këtij projekti, me rastin e përzgjedhjes ne së bashku me ju do të identifikojmë nevojat, pasi që qëllimi është jo vetëm përmirësimi i kushteve por edhe efiçienca e energjisë e cila është kusht i vendeve perëndimore”, ka thënë Islami.

Përfaqësuesit e komunës u zotuan për ndërmarrjen e hapave konkretë në ofrimin e kushteve te domosdoshme me qëllim që ky pilot-projekt të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, krahas rëndësisë shprehu nevojën e përmirësimit dhe avancimit të gjendjes së ndërtesave kolektive.

“Ekzekutivi komunal është i vetëdijshëm me gjendjen e objekteve kolektive në komunën e Mitrovicës, një gjendje që duhet trajtuar e përmirësuar dhe ky pilot-projekt është një mundësi e mirë në përmirësimin dhe avancimin e gjendjes aktuale”, shtoi Mujka.

Gjithashtu, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, vuri në pah përfitimin e banorëve të tri ndërtesave të cilat do të përzgjidhen, “banorët e ndërtesës do të përfitojnë jo vetëm intervenimet në përmirësimin e gjendjes së objektit të tyre, por ata do ta krijojnë edhe një organizatë të brendshme e udhëhequr nga administratori i licencuar që do të kujdeset për mirëmbajtjen dhe organizimin brenda ndërtesës”.

Përfaqësuesi nga Drejtoria për Planifikim dhe Urbanizëm Besim Shala, theksoi rendësinë e aplikimit dhe njëherësh kërkoi që të gjithë të aplikojnë, pavarësisht që vetëm tri ndërtesa do të përzgjidhen.

Ky pilot-projekt parasheh përzgjedhjen e tri ndërtesave kolektive në komunën e Mitrovicës, të cilat do të përfitojnë asistencë në krijimin e Shoqatave të pronarëve dhe regjistrimin e tyre, po ashtu ofron auditimin e detajuar të energjisë në ndërtesë që është parakusht për hartimin e projektit kryesor për renovimin e ndërtesave, me theks të veçantë zbatimin e masave për kursim të energjisë: izolimi i fasadës, kulmit, dyshemesë, ndërrimi i dritareve dhe dyerve së hyrjes, instalimi ose përmirësimi i ngrohjes qendrore dhe të ngjashme.