Arbëri

AVONET: Komuna e Ferizajt favorizon parkingjet private

Rrjeti i OJQ-ve AVONET, me vëmendje ka analizuar vendimin për parkingje dhe ndryshimin e qarkullimeve të automjeteve në Komunën e Ferizajt.

Ndalimi dhe parkimi në rrugën “Hamzë Jashari”, prej ish-objektit të Gjykatës Themelore të Ferizajt deri tek objekti i Komunës, AVONET konsideron se ky vendim është jo i duhur dhe si i tillë vetëm që ka krijuar pakënaqësi tek qytetarët dhe ka favorizuar parkingjet private në këtë rrugë.

AVONET vlerëson se kjo pjesë e rrugës ka qenë mundësia e vetme që qytetarët të mund të parkojnë në raste të punëve që ata kanë pasur të kryejnë në administratën e Komunës së Ferizajt.

“AVONET konsideron që Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente, nuk ka vepruar drejt në ndalimin dhe parkimin në këtë pjesë të rrugës ‘Hamëz Jashari’ e që në fakt as që janë krijuar pengesa në komunikacion në të kaluarën, por siç shihet qëllimi i këtij vendimi është se në këtë pjesë të kësaj rruge janë tri parkingje private që as nuk posedojnë leje për një veprimtari të tillë, të cilët janë favorizuar”, thotë AVONET.

Siç dihet Komuna e Ferizaj, për disa vite më radhë është duke u ballafaquar me problemin e parkingjeve dhe qarkullimin e automjeteve, andaj AVONET kërkon nga kryetari i Komunës së Ferizaj, Agim Aliu, të shfuqizojë vendimin dhe të bëjë një alternativë tjetër.