Arbëri

Turqia konfirmon mbështetjen e veçantë për Gjilanin

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kilic dhe drejtorin e TIKA’s për Kosovë, Hasan Burak Ceran, me të cilët ka bashkëbiseduar për bashkëpunimin në disa fusha, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha,net .

Haziri, pasi falënderoi ambasadoren Kilic për mbështetjen e vazhdueshme, ka thënë se ndihet jashtëzakonisht mirë që shteti turk do ta financoj ndërtimin e çerdhes në qendër të Gjilanit.

“E falënderoj ambasadoren Kilic për rikonfirmimin e mbështetjes për Gjilanin. Turqia në Gjilan nuk është vetëm me mbështetje diplomatike, por edhe ushtarake në kuadër të NATO. Ndërsa, niveli i tretë i prezencës është përmes agjencionit TIKA, i cili na mbështetë në programe të arsimit, shëndetësisë, e bujqësisë. Për projektin e ndërtimit të çerdhes në “Ardhmëriaq 1” dhe programet tjera, morëm konfirmimin e përkrahjes në takimin e sotëm”, ka thënë Haziri.

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kilic, e ka uruar kryetarin Haziri për rizgjedhjen në krye të Komunës, ndërkaq tha se shteti turk ka një interesim të veçantë për Gjilanin në aspektin e mbështetjes me projekte të ndryshme.

“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me Gjilan në arsim, shëndetësi dhe bujqësi dhe mund t’ju them se ne kemi një interesim të veçantë për komunën tuaj”, ka deklaruar ambasadorja Kilic.