Kuvendi i Komunës së Mitrovicës gjatë ditës së sotme nën udhëheqjen e kryesuesit Jeton Ujkani e në prani të kryetarit, Agim Bahtiri ka zhvilluar punimet e seancës së tretë më radhë.
Përmes një komunikate për media bën të ditur se Ujkani fillimisht ka bërë prezantimin e 14 pikave të rendit të ditës të parapara për seancën e sotme të kuvendit si: Betimi i anëtarëve të rinj të Kuvendit të Komunës , Miratimi i procesverbaleve nga mbledhjet e kaluara, Draft-rregullorja për tatimin në pronë për vitin 2018 Propozim-vendim për formimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, Propozim-vendim për formimin e Komitetit për Komunitete, Propozim-vendim për formimin e Komisionit Komunal të aksionarëve të NP “Tregu” , Propozim-vendim për formimin e Komisionit Komunal të aksionarëve të KRM “Uniteti”, Propozim-vendim për formimin e Komisionit Komunal të aksionarëve të NP “Stacioni i Autobusëve”, Propozim-vendim për formimin e Komisionit Komunal të aksionarëve të NP "Qendra Multifunksionale", Propozim-vendim për themelimin e Komisionit Vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës, Propozim-vendim për themelimin e Komisionit të Ankesave për shqyrtimin e ankesave të palëve në procedurën e dhënies së pronës së paluajtshme në shfrytëzim, Propozim-vendim për caktimin e orarit të mbajtjes së mbledhjeve, Propozim-vendim për caktimin e pagave dhe kompensimeve për anëtarët e Kuvendit të Komunës, komiteteve dhe komisioneve të Kuvendit , Propozim-vendim për shpalljen e konkursit për bursa për student.
Në seancën e sotme të kuvendit është bërë betimi i tre këshilltarëve të rinj Jeton Zeneli nga AKR që zëvendëson Naser Mujën të emëruar drejtor i Shërbimeve Publike, Fidane Hasani po ashtu nga AKR-ja që zëvendëson Erseka Hasanaj të emëruar drejtoresh e Shëndetësisë dhe Izet Tahiri nga Vetëvendosje që zëvendëson Faruk Mujkën nënkryetar i komunës.
“Po ashtu është miratuar draft rregullorja për tatime në prone, me ndryshime të tarifave të tatimit për objektet sportive edhe pishina, sikurse edhe për prona komerciale të shfrytëzueshme edhe pashfrytëzueshme, ku nga 0,18 është ulur tatimi në 0,17”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Asambleja po ashtu ka përzgjedhur edhe anëtarët e Komitetit për Politikë e Financa, ku është respektuar barazia gjinore me nga katër këshilltar edhe katër këshilltare.
Asambleja ka shtyrë për mbledhjen tjetër krijimin e Komitetit për Komunitete, në mungesë të përfaqësuesve të komuniteteve, ndërsa në pikën e përzgjedhjes së Komisioneve të Aksionarëve, është votuar Komisioni për NP “Tregu” në përbërje Hysni Ahmeti, Fahri Uka dhe Alban Fazliu.
Ndërsa seanca e tretë e Asamblesë Komunale të Mitrovicës u ndërprerë në pikën 6-të të rendit të ditës te përzgjedhja e Komisionit të Aksionarëve të KRM “Uniteti” , ku të propozuar ishin Erseka Hasajan, Faton Feka, Sami Latifi e Flutura Beka por që në procesin e votimit të njërit nga anëtarët e propozuar sipas sekretarisë rezultati ishte 15 për dhe 16 kundër. Ndërkohë që kryetari i komunës Agim Bahtiri së bashku me asambleistët nga AKR, VV dhe i tërë koalicioni kanë kërkuar rikthim të kësaj pike për faktin se ka ndodhur gabim teknik në numërim të votave sepse në xhirimin e kamerës vërehet se 16 vota kanë qenë për dhe 15 kundër andaj kryesuesi për hirë të korrektësisë kërkoi nga shefat e grupeve parlamentare ta vërtetojnë këtë lëshim gjatë votimit në bazë të xhirimit të kamerës, iniciativë kjo qe u refuzua nga opozita.
Lidhur me këtë propozim nuk u pajtuan këshilltarët nga radhët e LDK-së, të cilët braktisën seancën ku një veprim i tillë u pasua edhe nga këshilltarët e PDK-së.
Pas braktisjes së seancës nga LDK dhe PDK, kryesuesi ka kumtuar se nuk ka kuorum për vazhdimin e seancës dhe se këshilltarët do njoftohen me kohë për vazhdimin e seancës në një datë tjetër.
-
25 janar 2018 20:12
-
Shpërndaje në: