Arbëri

Ish-ministri Rrahmani tregon arsyen përse u zvarrit ndërtimi i Spitalit në Ferizaj

Ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani në një deklaratë për KTV-në, ka sqaruar se Qeveria e Isa Mustafës në vitin 2015 kishte filluar procedurat për ndërtimin e spitalit të ri në Ferizaj.

“Ne kemi filluar procedurat që në vitin 2015 për realizimin e këtij projekti madhor. Ju them me përgjegjësi se përveç vullnetit dhe presionit nga grupe të ndryshme të interesit për lokacionin ku do të ndërtohet spitali, nuk ka pasur asgjë në marrjen e mandatit. Ne kemi kryer procedurat për hartimin e projektit së bashku me autoritetet lokale, kemi filluar dhe zhvilluar procedurat e tenderimit dhe pak pas dorëzimit të mandatit, konkretisht në fillim të tetorit janë mbyllur procedurat”, ka sqaruar ish-ministri, i cili zvarritjen e ndërtimit të spitalit e ka ndërlidhur me ndryshimin e lokacionit të tij me ndryshimin e pushteteve në Ferizaj.

“Unë kam ngritur shqetësimin edhe përmes pyetjes parlamentare se pse po zhagitet nënshkrimi i kontratës kur të gjitha procedurat ligjore janë mbyllur? Tash kohëve të fundit doli në shesh edhe qëllimi, përpos përfoljeve tjera, se kjo zhagitje mund të lidhet me ndryshimin e lokacionit për ndërtimin e spitalit në Ferizaj, me ndryshimin e pushtetit në Ferizaj”, ka thënë ai për KTV-në.