Arbëri

Pas reshjeve të borës, të gjitha rrugët në Gjilan janë të hapura dhe kalueshme

Descriptive Text

Pas reshjeve të shumta të borës, kompania kontraktuese e Komunës së Gjilanit ka dalë menjëherë në terren për t’i hapur rrugët në qytet dhe fshatra, thotë kjo komunë përmes një komunikate për media.

Përpos ekipeve të kompanisë përkatëse, në terren thuhet po qëndron edhe ekipi i emergjencave të Komunës, të cilët kanë konfirmuar se të gjitha rrugët janë të hapura dhe deri tani nuk është paraqitur ndonjë problem.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka apeluar qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe t’iu përshtaten kushteve atmosferike, duke konfirmuar gatishmërinë e qeverisë komunale 24 orë në shërbim të qytetarëve.

Komuna u bënë thirrje qytetarëve që për çdo problem eventual të kontaktojnë numrat zyrtarë: 112 dhe 044146738 dhe ekipet emergjente do t’iu përgjigjen në afat rekord.

Përndryshe, sot ekipi i emergjencave në krye me drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ensar Kadriu, ka mënjanuar një cisternë, e cila ishte rrokullisur në rrugën nacionale në mes të Llabjanit dhe Parallovës dhe kishte bllokuar rrugën.

“Ekipet e emergjencave të Gjilanit kanë qenë vendimtare për zhbllokimin e rrugës, duke mundësuar qarkullimin e lirë qytetarëve”, ka thënë Komuna në njoftimin për media.​