Arbëri

Pritet digjitalizimi i shkollave në Viti

Descriptive Text

Komuna e Vitisë, pritet të bëhet komuna e parë në Kosovë që ka shkollat e digjitalizuar. Kjo do të bëhet e mundur falë një projekti të përbashkët të kësaj komune me MASHT-in dhe Fondacionin Kosovë-Luksemburg.

Kështu u tha sot pas një takim të përbashkët të mbajtur në mes të përfaqësuesve të këtyre institucioneve, trasnemton kp .

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim një delegacion nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës, në krye me drejtorin e Departamentit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar, Agim Berdynaj por edhe përfaqësues të Fondacionit Kosovë-Luksemburg.

Gjatë këtij takimi është bashkëbiseduar lidhur me një projekt për digjitalizimin e shkollave në Viti, që do të realizohet në kuadër të bashkëpunimit të Komunës së Vitisë, MASHT-it dhe Fondacionit Kosovë-Luksemburg e që ndër tjerash parasheh pajisjen me laptop dhe video projektor të shkollave brenda kësaj komune.

Sipas një njoftimi të komunës së Vitisë, në takim u bë me dije se realizimi i një projekti të tillë po bëhet për herë të parë në Kosovë dhe atë në këtë komunë. Kurse vlera e projektit është rreth 100 mijë euro.

Haliti tha se gjysëmvjetori i parë shkollor në Viti po fillon mbarë pasi që së shpejti pritet të realizohet në këtë komunë projekti për digjitalizimin e shkollave.