Arbëri

“FEMaktiv” - sfidueset e mendësisë patriarkale

Kanë mjaftuar disa takime në muajt e parë të këtij viti që ato të dakordoheshin për realizimin e një marshi në Prizren, në ditën ndërkombëtare të gruas.

Por që prej atij parakalimi të jetësuar në ditën e tetë të muajit të tretë nëpër rrugët kryesore të qytetit nuk janë ndalur më, shkruan “Koha Ditore”.

Ecja e tyre e sigurt ka vazhduar me realizimin e perfomancave të shumta duke sjellë në vëmendje nevojën për sfidimin e mendësisë patriarkale në diskursin publik të qytetit dhe kërkimin për kontributin e barabartë të grave dhe të burrave në jetën sociale, ekonomike dhe politike të qytetit.

Kështu gratë dhe vajzat e grumbulluara në kuadër të iniciativës “FEMaktiv” kanë bërë që tema e feminizmit dhe barazisë gjinore të jetë e pranishme në jetën publike të Prizrenit.

“Tashti ndodh që kur aktivistet e “FEMaktiv”-it hynë në kafene ka të tillë që thonë heshtni se erdhën feministet. Ky fakt mjafton për fillim për të dëshmuar se ndryshimi ka nisur”, ka thënë Dafina Alishani, këshilltare në KK-në e Prizrenit dhe një nga aktivistet në “FEMaktiv”-it.

Ndërsa aktivistet e tjera kanë vendosur që në grup t’i shpalosin mendimet e tyre lidhur me këtë çështje. Sipas tyre ideja fillestare për fillimin e kësaj iniciative ka ardhur nga nevoja për të bërë diçka për ta luftuar mendësinë patriarkale, dominonte, sidomos në diskursin publik dhe politik të qytetit. “Prandaj edhe lindi si ide e disa aktivisteve nga Prizreni, ku ne filluam t’i grumbullonim gratë dhe vajzat të cilat ndajnë shqetësime të njëjta në këtë drejtim. Ne, gratë dhe vajzat e iniciativës “FEMaktiv” filluam t’i mbajmë mbledhjet tona dikur në fillim të muajit shkurt të vitit 2017, ndërsa më 8 mars të vitit 2017 e bëmë paraqitjen tonë të parë publike”, kanë bërë të ditur aktivistet e “FEMaktiv”-it. Me tej kanë sqaruar se iniciativat e tilla janë të nevojshme në çdo shoqëri, ku dominon mendësia patriarkale e ku roli i gruas shihet si inferior. “Iniciativa ka lindur si nevojë, të mos themi si domosdo, ku i gjithë opinioni publik krijohet dhe formësohet nga burrat, ndërsa grave nuk u jepet hapësirë për të kontribuar në shumë aspekte jetësore - siç janë çështjet sociale, ekonomike edhe politike”.

“FEMaktiv”-i nuk e kishte parë të arsyeshme që t’i bindte gratë dhe vajzat që t’i bashkoheshin kësaj kauze.

“Të gjitha gratë dhe vajzat që na janë bashkuar deri tashti në lëvizjen tonë kanë ardhur me vetë vullnetin e tyre për të ndryshuar mendësinë patriarkale në qytet dhe fuqizimin e rolit të gruas. Besojmë se pothuajse çdo grua përballet me probleme të shumta vetëm për faktin se është grua, ndaj edhe kjo iniciativë është një mundësi që gratë dhe vajzat të takohen dhe të flasin për shqetësimet e tyre të përbashkëta dhe të gjejmë zgjidhje. Aq më shumë kjo iniciativë ka si qëllim që jo vetëm gratë, por edhe burrat të jenë pjesë e kësaj kauze - të gjithë ata që besojnë në një shoqëri të barabartë”, kanë theksuar ato... (më gjerësisht lexoni në numrin festiv të “Kohës Ditore” për Vitin e Ri)