Arbëri

Gjini vendos nënshkrimin e parë zyrtarisht për transportin e nxënësve në Gjakovë

Është mbajtur mbledhja inauguruese e Kuvendit të ri të Komunës së Gjakovës, ku pos kryetarit Ardian Gjini, betimin e kanë dhënë edhe tridhjetë e pesë këshilltarët e rijnë komunal, të cilët do të kenë mandat katërvjeçar. Sipas ligjit për qeverisje lokale, deri në zgjedhjen e kryesuesit të ri të Kuvendit të Komunës së Gjakovës, i njëjti është kryesuar nga kuvendari më i vjetër në moshë, e që ishte Sadik Hoti nga LDK-ja.

Pas betimit të dhënë si kryetar, Ardian Gjini ka mbajtur një fjalë rasti ku ka shprehur falënderimet për punën e deritanishme të të gjithë kryetarëve të komunës.

Nga kryetari Ardian Gjini janë përmendur edhe ndërhyrjet dhe ndërtimet në infrastrukturë, si qarkorja e Gjakovës, hyrje-daljet e qytetit, lumi Krena, parku i madh i qytetit, rruga Gërgoc - Krelan, rruga për tek “Maja e Kunorës”, urat, uji i pijshëm në Rekë të Keqe, penda e Drinit të Bardhë, e të tjera projekte që i japin jetë komunës së Gjakovës.

Gjini, menjëherë pas marrjes zyrtare të detyrës e ka vendosur nënshkrimin e parë zyrtar nga ky post, nënshkrim që është vënë mbi vendimin për fillimin e transportit për nxënësit e komunës së Gjakovës.

Ceremonia e nënshkrimit është bërë në praninë e medieve, me ç ‘rast kryetari Gjini ka thënë se ky proces i vonuar mbi një vit e gjysmë sot po nis në të mirë të nxënësve, ndërsa ka premtuar se qeverisja e re nuk do të lejojë që procese të tilla kaq të ndjeshme të zvarriten apo vonohen në të ardhmen.

Gjini, sikurse në mbledhjen e Asamblesë ka bërë të ditur se tenderi për transportin e nxënësve, ai për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve dhe të gjithë tenderët tjerë që kanë limit kohor të realizimit do të shpallen dhe do të jenë të gatshëm me kohë përgjatë katër viteve të ardhshme.