Arbëri

Drejtuesit e BI-së në Mitrovicë kërkojnë ndërtimin edhe të një xhamie

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka pritur kryetarin e Bashkësisë Islame të Mitrovicës, imamin Burim Veliu, me bashkëpunëtorë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Veliu ka bërë të ditur se BI-ja po ballafaqohet me disa sfida dhe probleme që po e rëndojnë gjendjen e BI-së dhe të besimtarëve, të cilat pa mbështetjen e komunës, nuk mund t’i tejkalojë, transmeton Koha.net.

“Në këtë kontekst, ai përmendi zgjidhjen e çështjes së qirasë për hapësirën afër tregut, për të cilën komuna paguan qira, por që obligimet nuk janë kryer”, thuhet në komunikatë.

Veliu më tutje ka shtuar se, “është mirë që komuna ta lirojë sa më parë këtë hapësirë dhe të ia kthej BI-së, në mënyrë që ta shfrytëzojë dhe të zgjidhë disa probleme financiare”. Ai kërkoi ndihmën e kryetarit Bahtiri edhe për lirimin e disa pronave të BI-së të uzurpuara, për të cilat ajo tashmë i ka të gjitha dokumentet gjyqësore dhe kadastrale në rregull.

Po ashtu, drejtuesit e BI-së kërkuan nga Bahtiri që të gjejë edhe një hapësirë për ndërtimin edhe të një xhamie, pasi siç thanë ata, xhamitë ekzistuese nuk po i zënë besimtarët për të kryer obligimet e tyre.

Bahtiri iu tha atyre se ai dhe komuna do të vazhdojnë bashkëpunimin me BI-në edhe në të ardhmen, sepse kjo është në interes të të dyja palëve, por para së gjithash në interes të qytetarëve të Mitrovicës.

Sa i përket kërkesave të drejtuesve të BI-së, Bahtiri tha se ai është i gatshëm që të ndihmoj BI-në në çdo kohë.

“Obligimet që ka komuna ndaj jush, do të kryhen sa më parë që është e mundur. Po ashtu, unë do të ju mbështesë fuqishëm edhe në realizimin e të drejtave tuaja dhe kërkesave lidhur me lirimin e pronave tuaja dhe në të gjitha aktivitetet që ju duhet ndihma e kryetarit dhe komunës”, tha ai.