Arbëri

Mësuesja pranon se ia shkuli flokët 8 vjeçit “që s’i kuptonte detyrat”

Lavdije Berisha e akuzon mësimdhënësen Mesire Muharremi se ia ka keqtrajtuar djalin e saj, Ledrin, 8-vjeçar, gjatë orës mësimore në shkollën fillore “Lekë Dukagjini” në Prizren.

Berisha deklaron se që prej klasës së parë ka dyshuar në këtë mësuese por rrahja që pretendon se i është bërë Ledrit të premten e ka kaluar çdo kufi, raporton KTV.

Madje thotë se djali i saj nuk ka më flokë në vendin ku mësuesja ia ka kapur.

KTV-ja ka biseduar me mësimdhënësen por nuk ka dashur të flasë para kamerës.

Mezire Muharremi thotë se gjithçka ka qenë nën efekt, pasi aq mirë ia kishte shpjeguar detyrat e matematikës dhe sërish Ledri kishte thënë se nuk i kuptonte ato.

E pyetur se a është në rregull që për moskuptim të detyrave të kapet për flokë fëmija 8-vjeçar, Muharremi ka thënë se jo por gjithçka ka ndodhur aty për aty.

E drejtoresha e shkollës, Jehona Krasniqi, tha se asnjëherë nuk ka pasur vërejtje ndaj mësueses.

Por, sipas saj, shumë shpejt do të formohet një komision disiplinor për këtë rast dhe do të merret vendimi adekuat.

Drejtori i Arsimit në Prizren, Zeadin Shemsedini, ka bërë të ditur se nuk kanë marrë ndonjë ankesë zyrtare, por ky rast do të trajtohet me shumë prioritet.